Pacolli: Kurrë s’kam parë plan për ndarjen e Kosovës

Behgjet Pacolli, ish-Ministër i Jashtëm, ka thënë se ka qenë shef i diplomacisë kosovare, kurrë s’ka parë plan për ndarjen e Kosovës.

Me këtë rast, ai ka kërkuar nga Hashim Thaçi dhe Albin Kurti të bëhen bashkë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Plan per ndarjen e Kosovës? Sa kam qenë ministër i jashtëm kurrë nuk kam parë asnjë plan për ndarje dhe nuk besoj se as sot po diskutohet ndonjë plan i tillë. Ndaj u bëj thirrje dhe njëherë kryeministrit dhe presidentit: Bëhuni bashkë sipas një Ligji të ri që ta propozojë Komisioni i Venecias dhe veproni së bashku. Procesi nuk duhet të ndalët, nuk ka kohë më!!”, ka shkruar Pacolli.

Një ditë më parë, profesori amerikan, Edward Joseph në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe kishte thënë se Thaçi-Grenell dhe Vuçiq janë duke synuar të arrijnë një marrëveshje të ngjashme me atë që ishte planifikuar në kohën e Mogherinit, e që përfshinë ndarje të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi reagoi duke thënë se është për të ardhur keq kur sheh se me çfarë lehtësie analistët krijojnë plane fiktive ( shkëmbim territoresh, ndarje, autonomi) dhe ua atribuojnë ato atyre që janë duke provuar të bëjnë marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë

Thaçi e ka quajtur si lajm të rremë një deklaratë të tillë e cila nuk i ndihmon procesit.

Edhe Richard Grenell e ka quajtur lajm të rremë idenë se po synon ndarjen e Kosovës. Ka thënë se një temë e tillë asnjëherë s’është diskutuar kur ai ka qenë prezentë në takimet ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

Ky reagim i të dërguarit të Trump për dialogun ka ardhur pasi profesori amerikan, Edward Joseph ka thënë se qëllimi i vërtetë Grenellit,  presidentit Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq është të arrijnë një marrëveshje që në thelb ka ndarjen e Kosovës.

“Lajm i rremë. Kjo kurrë nuk është diskutuar në prezencën time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, ka shkruar Grenell në Twitter

Donald Trump po kërkon një marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vitin e kaluar kishte kërkuar që marrëveshje të ishte e pranueshme për të dy palët.

Mirëpo, bisedimet ende s’kanë rifilluar pasi Kosova ende vazhdon ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës. Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane.

Albin Kurti ka premtuar se nga 1 prilli do ta largojë taksën 100 për qind kurse nga 15 marsi vetëm për lëndën e parë.

Në një editorial për një gazetë gjermane, Kurti tha se çdo marrëveshje që arrihet me presion s’do të ketë ndonjë vlerë.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një dialog të ri prej vitit 2011, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e shtetit kosovar s’ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në Bruksel mirëpo s’ka pasur një marrëveshje finale.

Tash, edhe SHBA, por edhe BE kanë kërkuar një Marrëveshje Finale që do të normalizonte raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.