Pakënaqësitë me shtesat për rrezikshmëri, Kurti sot i pret në takim pjesëtarët e NjSI-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që gjatë ditës së sotme të presë në takim përfaqësuesit e dy njësive elitare të Policisë së Kosovës, të cilët ditë më parë përmes një proteste shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me shtesat për rrezikshmëri.

Gazeta online Reporteri.net merr vesh se takimi pritet të zhvillohet sot në ora 16:00, në objektin e Qeverisë.

Kurti foli edhe mbrëmë për pakënaqësitë e këtyre dy njësive elitare, teksa përsëriti se Njësia Speciale Intervenuese do t’i ketë 150 euro shtesa për rrezikshmëri në muaj dhe tha se “kjo nuk është pak”

“Unë kam dhënë një qëndrim shumë të qartë, i cili është racional sa i përket shtesave të rrezikshmërisë. Janë shtatë kategori me shtesa prej 45 euro deri në 150 euro në muaj. Njësia Speciale Intervenuese do t’i ketë 150 euro në muaj dhe mendoj se kjo nuk është pak”, u shpreh Kurti mbrëmë në Context të ATV-së.

Të mërkurën e 1 nëntorit, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, dhe ata të Njësitit për trajtimin e mjeteve eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës, duke kërkuar kështu ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Ata kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të reflektojë dhe të takohen për të diskutuar për realizimin e kërkesave të tyre.

Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.

Sipas propozimit të Qeverisë, lartësia e shtesave do të jetë e ndryshme për 7 kategori, dhe do të sillen nga 45 deri në 150 euro.

Shtatë kategori të pozitave në këtë institucion pritet që me pagat e nëntorit t’i marrin edhe shtesat, të cilat sillen nga 45 deri në 150 euro dhe që pritet të merren në mënyrë retroaktive edhe për muajt që nga miratimi i Ligjit të pagave.

Sipas propozimit, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë.