Palmer zhvillon takim me Hoxhajn, sqarohet roli i PDK-së në raport me zhvillimet politike

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett kanë takuar sot kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Në këtë takim temë kyçe ishte çështja e dialogut, Kosovë-Serbi si dhe zhvillime të tjera në kuadër të vendit.

“Në këtë takim është biseduar për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, pritjet nga ky proces të PDK-së që duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë, rolin opozitar të partisë në jetën politike të vendit si dhe tema të tjera me interes për vendin”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu u theksua se Hoxhaj ka sqaruar pozicionin e PDK-së në raport me zhvillimet politike, dhe ka kërkuar një rol më të madh dhe të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog si partner strategjik i Kosovës.

Bashkë me Hoxhajn në këtë takim të pranishëm ishin edhe Sekretari i përgjithshëm, Uran Ismaili dhe anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu Kodra.