Paralajmëron Albin Kurti: Çdo emërim që bëhet nga Qeveria Hoti, do të shkarkohet që në javën e parë të qeverisjes

Kryetari i Vetëvendosjes (VV), Albin Kurti ka thënë se çdo emërim në borde që është bërë nga qeveria në detyrë do të anulohet në javën e parë të qeverisjes së re.

Albin Kurti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se secili vendim që ka nënkuptuar shpenzim të pakontrolluar të parasë publike do të auditohet dhe do të kërkohet përgjegjësi.

“Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund të dëmtojë personat e përfshirë. Secili vendim që ka nënkuptuar shpenzim të pakontrolluar të parasë publike pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të auditohet dhe për çdo keqpërdorim do fillohen procedurat normale të kërkimit të përgjegjësisë”, ka shkruar ai.

Tutje Kurti ka thënë se e ndjen të domosdoshme të rithekson që vetëm institucionet e reja që burojnë nga vullneti i zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë mandat të sigurojnë avancimin e institucioneve publike.

“E ndjej të domosdoshme të rikthesoj që vetëm institucionet e reja që burojnë nga vullneti i zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë mandat të sigurojnë avancimin e institucioneve publike, përfshirë këtu edhe ndërmarrjet e rëndësisë së veçantë dhe rregullatorët apo agjencionet ekzekutive”, ka shkruar në fund ai.