Paraqitet si agjent i huaj, policia prangos 48 vjeçarin në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar gjatë ditës së sotme një 48 vjeçar për disa vepra penale në mesin e tyre edhe për paraqitjen e rreme si agjent i huaj, raporton Fokusi.info.

Përveç kësaj ai dyshohet edhe për veprat tjera si: mashtrim, shantazh, fasifikim i dokumeteve dhe manipulim i provave.

Njoftimi i policisë:

Arrestohet i dyshuari për prezantim të rrejshëm
Prishtinë, 02 gusht 2021 – Sot rreth orës 11:00, policia e rajonit të Prishtinës, ka arrestuar një të dyshuar për veprat;
Mashtrim
Prezantim i rremë
Shantazh
Falsifikim i dokumenteve, si dhe,
Manipulim i provave.

Sipas informacioneve të konfirmuara deri më tani, i dyshuari duke shfrytëzuar rrethanat e një rasti tejet të ndjeshëm që po hetohet nga ana e policisë, ka kontaktuar familjarët e viktimës duke provuar ti vë në lajthim dhe duke u prezantuar rrejshëm si person zyrtar, madje edhe si agjent i huaj, ka kërkuar nga ta favore monetare, kinse për zbardhjen e rrethanave të caktuara të rastit.
Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve, njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me shpejtësi ka kryer veprime hetimore preliminare si dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit;
• S. G. 48 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës.
I dyshuari u arrestua nën dyshimin për veprat penale të sipër cekura dhe i njëjti me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për tu proceduar më tej në fazat vijuese të procesit hetimor.