Baraliu: Për kthimin e serbëve të dorëhequr duhet të zbatohen procedurat ligjore

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë për Front Online se janë procedurat ligjore ato që përcaktojnë këtë, por se edhe këto janë relativisht komplekse.

Ai thotë se nëse kthimi i tyre ndodhë përmes zgjidhjes politike, atëherë këtu ka tejkalim të sundimit të ligjit.

“Përndryshe, do të duhej të iu nënshtrohen procedurave të caktuara të cilat në radhë të parë janë të natyrës disiplinore, pra po flasim për të gjitha institucionet në parim përveç deputetëve dhe do të duhej komisionet, bile në këtë mënyrë ka shkuar edhe Këshilli Gjyqësor sa di unë ka marrë qëndrim që t’i përcaktojnë përmes komisioneve përkatëse shkeljet disiplinore të këtyre njerëzve dhe mandej t’i pasojnë procedurat disiplinore duke i trajtuar ato letrat e dorëheqjes së secilit dhe secilës prej tyre”, është shprehur Baraliu, për Front Online.

Thotë se deri sa Kosova është shtet demokratik, atëherë duhet të zbatohen procedurat ligjore

“Kështu që është diçka që do të duhej zbatuar procedurat ligjore dhe kjo do të duhet të përforcohet, të thuhet dhe të këmbëngulet se jemi shtet i së drejtës, shtet demokratik, po kërkojnë që ta kemi këtë shtet, po kërkon edhe Serbia që Kosova të jetë demokratike atëherë do të duhej që parimet e demokracisë, rregullat e saj që do të thotë edhe ligjet t’i respektojnë të gjithë”, ka deklaruar ai.

Më të dhënë dorëheqje serbët kanë vendosur edhe një kusht tjetër për rikthimin e tyre.

Ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

E, për këtë Baraliu, thotë se kjo është bërë vetëm për t’iu shmangur planit franko-gjerman.

“Ajo është vetëm floskul e tyre thjesht është një prelud që ata e kanë lansu në Beograd, është një balon politik për t’iu shmangur bisedave në çështjen kryesore të dialogut që është plani franko-gjerman dhe ata e kanë bërë gjithë këtë edhe çështjen e targave edhe të Asociacionit, përndryshe Serbia 2/3 e 33 marrëveshjeve të arritura nuk i ka respektuar, Serbia nuk e ka respektuar as parimin kryesore në fillim që është dashtë ta hjek nga Kushtetua e vet Kosovën si pjesë të saj për të filluar bisedat. Kanë qenë këto floskula politike me qëllim të tërhiqet vëmendja nga çështja kryesore dhe kjo ka qenë diskutimi për marrëveshjen ndërkombëtare”, ka shtuar Baraliu.