Parashikimi i motit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se në javën e parë të tetorit në vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm.

Sipas IHMK-së, kjo javë do të fillojë me mot relativisht të qetë, por gjatë ditës parashihet të ketë vranësira të dendura të cilat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu. Nga e marta e tutje, do të ketë stabilizim të motit.

Mëngjeset parashihen të jenë relativisht të freskëta dhe në shumë vende mund të paraqitet mjegulla, kryesisht ultësirave. Vranësira do të ketë vetëm në stadet e larta të Troposferës.

“Lagështia relative mesatare ditore parashihet ti shënoj vlerat rreth normales, (50-75%), ndërsa sa i përket presionit atmosferik, vlerat e saj mbeten mbi normalen (1013mb). Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-24 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Kushtet biometeorologjike do të jenë të mira gjatë gjithë javës. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare.

Sasitë e reshjeve për muajin shtator ishin rekorde dhe shumë të mirëseardhura për gjitha sferat e jetës. Shtrirja e tyre si zakonisht nuk ishte uniforme.

“Në muajin që lamë pas, më shumë reshje u regjistruan në rrafshin e Kosovës, se sa në rrafshin e Dukagjinit edhe pse sipas statistikave në Dukagjin gjithmonë kemi më shumë reshje.

Kushtet agrometeorologjike gjithashtu janë shumë të mira, sepse kishim reshje të mjaftueshme dhe kjo situatë agrometeorologjike ju mundëson bujqve që më lehtë t’i mbjellin tokat e tyre me kulturën e grurit, sepse afati i mbjelljes mund të filloj kah mesi i javës së ardhshme e për të vazhduar deri në fund të tetorit”, thekson IHMK-ja.

Më poshtë ju sjellim tabelën me temperaturat minimale dhe maksimale për sot dhe nesër në qytetet kryesore të vendit.