Mësimi i gjuhëve të huaja nuk u përfshi në mësimin online, mund të nisë javën tjetër

Edhe pse lëndët e gjuhëve të huaja parashihen në kurrikula dhe planprograme mësimore, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, ende nuk është duke u organizuar mësim nga distanca në këto lëndë.

Kjo ka ngritur shqetësim te prindërit, të cilët po kërkojnë që Ministria e Arsimit të mos e lërë anash organizimin e mësimit edhe për këto lëndë.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka thënë se MASHTI duhet të gjejë një zgjidhje që sa më parë të ketë mësim për gjuhët e huaja, sepse në fund të vitit shkollor, nxënësit do të notohen edhe për këto lëndë, raporton KOHA.

Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, vlerëson se Ministria nuk duhet të humbë kohë me organizimin e mësimit në gjuhët e huaja.

Ministria e Arsimit përmes një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se mësimi në distancë për gjuhën angleze pritet të nisë javën tjetër. Sipas MASHTI-t, tashmë janë xhiruar materialet për tri javë mësimore për nivelet 6-9 dhe pritet vetëm kompletimi i materialeve për klasat 1-5.

“Udhëzuesi për vlerësim dhe Udhëzuesi tjetër për ndërveprim dhe për orarin gjatë zbatimit të mësimit online trajtojnë shumicën e sugjerimeve dhe rekomandimeve që e kemi marrë nga prindërit, por edhe nga mësimdhënësit”, është thënë nga MASHTI.

Në shkollat fillore dhe të mesme të ulët përveç gjuhës angleze mësohet edhe gjuha gjermane. Për këtë të fundit, MASHTI nuk ka treguar se kur do të nisë mësimi nga distanca.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, në Kosovë mësimi është pezulluar më 11 mars. Për klasat 1-9 mësimi po transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës dhe në platformën E-mësimi, ndërkaq, shkollat e mesme dhe institucionet e arsimit të lartë janë duke e organizuar vetë procesin mësimor përmes disa platformave.