Parashikimi i motit

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe i ngrohtë, por gjatë ditës priten edhe vranësira të cilat rrallëkund në ndonjë rajon mund të kushtëzojnë ndonjë rigë afatshkurtër shiu.

Në Shqipëri pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe pak më i freskët për shkak të një cikloni përtej jugut të Italisë i cili do të sjellë vranësira në territorin shqiptar. Rrallëkund mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë. Më shumë vranësira priten në jug të vendit.

Mot i ngjashëm, por më i ngrohtë pritet sot në Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës, pra priten alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell, ndërsa në Mal të Zi priten edhe riga lokale afatshkurtra shiu.

Të dielen na pret mot me vranësira dhe intervale kohore me diell. Në jug të Shqipërisë priten reshje të herëpashershme shiu, ngase cikloni nga Italia jugore pritet të rrugëtojë në drejtim të Greqisë dhe pjesa periferike e tij prekë jugun e Shqipërisë, por nuk priten reshje të mëdha. Në viset tjera të rajonit të dielën priten vranësira të shtresave të larta atmosferike dhe vende-vende priten edhe rreze diellore.

Nga e hëna kthjellim i motit dhe na presin disa ditë të ngrohta dhe stabile./Meteoballkan