Sveçla – Borrellit: Arrestimet në Veri sipas ligjit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i është kundërpërgjigjur ashpër shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Sveçla ka thënë se arrestimet në Veri po bëhen sipas ligjeve të Kosovës, ndryshe nga siç ka deklaruar kryediplomati spanjoll.

Këtij të fundit madje zyrtari kosovar i kërkoi që ta luajë rolin e ndërmjetësuesit.

“Asnjë veprim i Policisë nuk është duke u bërë jashtë ligjit. Çdo veprim është i bazuar në ligj dhe procedurat e Policisë. Ftoj Borrellin ta adresojë drejt agresionin e Serbisë. Ta luajë rolin e tij si ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Sveçla gjatë një konference për medie.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha u shpreh se të gjitha veprimet e tyre bëhen përmes një procesi të hetimeve.