Parlamenti Evropian miraton rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë

Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten rezolutën përmes së cilës dënohet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Lajmin e ka bërë të ditur asistentja e akredituar e Parlamentit Evropian, Federica Woelk, shkruan lajmi.net

Woelk ka shkruar se eurodeputetët i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të shmangë çdo politikë zbutjeje ndaj Serbisë dhe shpreh shqetësimet në lidhje me mungesën e kritikave të zëshme nga Komisioni.

Po ashtu eurodeputetët kanë bërë thirrje që Komisioni të ngrijë fondet për Serbinë ose që Këshilli të miratojë masë kufizuese.

“Eurodeputetët shprehin keqardhje për masat negative që Këshilli ka marrë ndaj Kosovës dhe bëjnë thirrje që ato të hiqen sa më shpejt”, ka shkruar Woelk.

Deputetët i kërkojnë KE-së dhe Këshillit që të rifillojnë kontaktet e tyre të nivelit të lartë me Presidentin dhe Qeverinë e Kosovës.

“Një amendament i Gjelbër u bën thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë këtë”, ka shkruar Woelk.

Në njërën pikë të rezolutës bëhet fjalë edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Rezoluta kërkon një qasje të re të dialogut.

“PE kërkon një qasje të re, inovative dhe të balancuar për Dialogun”, ka shkruar Woelk.

Rezoluta, shkruan Woelk, thotë qartë se presidenti serb Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit të 18 marsit 2023, ndër të tjerash.

Eurodeputetët kujtojnë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun.

“Shtetet anëtare që nuk e kanë dënuar ende sulmin terrorist, u kërkohet ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet tutje në rezolutë.