Lajmërohet Albin Kurti, kërkon zgjedhje të reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendisje, Albin Kurti, ka mbajtur online mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku mes tjerash foli edhe për situatën e fundit politike dhe shëndetësore në vend.

Kurti kërkoi që të respektohen masat në mënyrë që të mbrohet vetja dhe të tjerët.

“Ndodhemi përballë një krize shëndetësore, një krize ekonomike dhe qeverisjeje ku institucionet janë ndarë. Qyetetarët po goditen si çdo herë më së keqi”, është shprehur Kurti.

Ai shprehu ngushëllime për familjet të cilët humbën familjarët e tyre nga COVID-19.

Kurti kërkoi që bashkë të forcohet imuniteti i qytetarëve edhe legjitimiteti i qeverisë me zgjedhje të reja e me qeverisje të mirë.

“Ky është një vit i pazakontë e deri tani ka pasur shumë të papritura, por shoqëria dhe shteti ynë duhet të forcohen që t’i bëjnë ballë çdo sfide. Sot, imuniteti i shtetit është shumë mëi dobët sepse legjitimiteti mungon. Trupi pa imunitet nuk e fiton dot betejën kundër virusit dhe dorëzohet kurse qeveria pa legjitimitet është po ashtu e dorëzuar dhe nuk fiton asnjë betejë brenda apo jashtë vendit”, u shpreh Kurti.

Kurti paralajmëroi se “përpara kemi zgjedhje të dyfishta”.

“Kemi zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje në vjeshtë dhe zgjedhjet e domosdoshme të parakohshme për parlamentin e ri dhe qeverinë e re”, tha kreu i LVV-së.

Ai, qeverinë aktuale, e quan “Qeveri Koti” dhe thekson se “është në mënyrë të trefishtë qeveri e pakicës: i ka vetëm 59 deputetë, i ka vetëm 40 deputetë shqiptarë, dhe nuk i ka as 1/3 e mbështetjes qytetare”.

Sipas tij, “kemi një qeveri dhe një kryeministër koti që partia e tij nuk ia besoi postin e kryetarit, por kërkon që populli e shteti t’ia besojnë postin e kryeministrit”.