Pas 15 vitesh zvarritjeje, qytetari Jani Daja i drejtohet bashkëqeverisjes dhe legalizon banesën

Pas më shumë se 15 vitesh zvarritje, Jani Daja iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes dhe arriti të marrë hipotekën e  shtëpisë në Mëzez të Tiranës.

Duke prezantur këtë rast, Kryeministri Edi Rama theksoi se përveç zgjidhjes së mori qytetari u largua nga zyrat e shtetit edhe personi përgjegjës që e pengonte.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Jani Dajës, i cili duke u drejtuar në Platformën e Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, pas më shumë se 15 vite zvarritjesh mori më në fund hipotekën e shtëpisë dhe u bë shkas që kush e pengonte të largohej nga zyra e shtetit, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Rama.

Jani Daja me familjen e tij u zhvendosën para 15 vitesh nga Berati në Mëzez të Tiranës. Ata kanë trokitur derë më derë për të legalizuar pronën e tyre në hipotekë, por gjithçka ka qenë e pamundur deri në momentin që vendosën të shkruajnë në shqiperiaqëduam.al.

“Kam rreth 16-17 vjet këtu, kam punuar ushtarak dhe më pas në emigracion ku me të gjitha të ardhurat bëra këtë ndërtesë. Aplikova për hipotekën dhe më sillnin probleme sikur unë kisha mbivendosje mbi tokë, ndërkohë që tokën unë e kisha marrë me dokumente dhe me tapitë e 7501”, u shpreh Daja.

Pasi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes ai mori në dorë hipotekën e banesës së tij./atsh