Pas dy jave Trusti shkon në Kuvend, Haxhiu tregon se a i kanë votat

Data 16 qershor do të jetë vendimtare për çështjen e Trustit. Se a do t’i marrin qytetarët paratë e tyre ose jo do të vendosin deputetët e Kuvendit të Kosovës. Por, a janë votat që Projektligji për Fondet Pensional të kaloj, për këtë ka fol deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Projektligji për Fondet Pensional do të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, e cila do mbahet më 16 qershor.

Kjo është bërë e ditur nga shefat e grupeve parlamentare pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit e cila u mbajt gjatë ditës së djeshme.

Caktimin e seancës për shqyrtimin e Projektligjit për Trustin e ka cilësuar si “lajm të mirë” Besnik Tahiri, shef i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Në seancën e radhës të kuvendit, më 16 qershor, menjëherë pas pikës së parë, e cila parasheh deklarimet jashtë rendit të ditës, do të shqyrtohet Projektligji për Fondet Pensionale”, tha ai.

Por, se si do të shkoj kjo seancë dhe a do të mund të sigurohen votat nga deputetët.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka treguar se është duke biseduar dhe ka biseduar me deputetët lidhur me votimin e projektligjit që mundëson tërheqjen e 30 për qind të Trustit. Por, ai ka thënë se Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti u ka bërë presion deputetëve të LVV-së dhe pakicave që të mos e votojnë këtë projektligj.

Haxhiu në një deklarim për Demokracia.com ka thënë se presion mbi deputetët po vazhdon, por siç thotë ai përpjekjen për t’i siguruar votat nuk do të ndalë.

“Tashmë e keni parë dhe dëgjuar se çfarë presioni po behët mbi deputetët që të mos votohet ky projektligj. Ky presion u pa edhe atë ditë mbi deputeten Duda Balje, që u detyrua të votoj kundër në komision, vetëm për shkak të presioneve. Presione të tilla është duke pasur edhe mbi deputetët e tjerë të pakicave po ashtu edhe mbi ata të LVV-së”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka treguar se iniciativën për çështjen e Trustit do ta çojë deri në fund, pasi siç thotë, qytetarët kanë nevojë për këto para.

“Nevoja për paratë e Trusti është e madhe. Qytetarët kanë nevojë për këto para dhe unë do të mundohem deri në fund që këtë proces ta çoj aty ky e kam edhe qëllimin, që të votohet. Gjatë këtyre muajve kam qenë zëri i qytetarëve sa i përket kërkesës për Trustin dhe s’kam asnjë arsye me u tërheq”, tha ai.

Haxhiu tha se opozita është unike dhe pro tërheqjes së 30 për qind nga Trusti Pensional i Kosovës.

“E gjithë opozita është pro. Grupi Parlamentar i LDK-së, AAK-së, e PDK-së janë pro, janë unik si opozitë në këtë nismë ligjore. Edhe minoritetet janë pro”, shtoi Haxhiu.

Tutje Haxhiu tha se ka biseduar me deputetë të VV-së por se ta janë kushtëzuar dhe prandaj kundërshtojnë këtë mundësi.

Haxhiu i ka bërë thirrje qeverisë që të mos bëjë presion mbi deputetë dhe t’i lë të lirë që të votojnë siç duan.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovë të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale – apo siç njihet ndryshe Trusti – ka ditë që ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër. Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.