Pas Kurtit edhe Konjufca hynë të jep dëshminë e tij në prokurori

Pas kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, edhe deputeti Glauk Konjufca ka arritur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku do të dëshmojë lidhur me kallëzimin penal të bërë për presidentin Hashim Thaçi dhe për kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

Më 25 prill të këtij viti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe asokohe kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, kishin bërë kallëzim penal në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë.

Kurti dhe Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli nën betim, me datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se dy anëtarët e VV-së janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast dhe kanë mbërritur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori sot e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që është ngritur.

Atë kohë, pasi që dorëzuan kallëzimin penal Konjufca i cilësoi dëshmitë e Thaçit e Veselit kundër Lëvizjes si “përpjekje për eliminim politik të Vetëvendosjes, meqë padrejtësisht dhe me shpifje, prej presidentit të shtetit dhe kryetarit të Kuvendit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit”. /GazetaExpress/