Pas LDK-së, edhe PDK paralajmëron kallëzim penal për Nagavcin

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Kështu u shpreh ai, teksa theksoi se e njëjta është përgjegjëse për privimin e 210 mijë nxënësve dhe mos realizimin e kompetencave ligjore.

Tahiri bashkë më anëtarë të Komisionit për Arsim kanë mbajtur konferencë për media pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët, me ç’rast paralajmëruan se do të angazhohen maksimalisht që vendin ta çojnë në zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të ishte e pranishme në seancën e sotme dhe të diskutohej për çështjen e librave.

Ai deklaroi se do të bëjnë kallëzim penal për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas tij, kjo e fundit ka bërë shkelje penale, për çka, siç tha ai, do të ndiqet penalisht.

Për më tepër, shefi i deputetëve të PDK-së tha se do të angazhohen maksimalisht që vendi të shkojë në zgjedhje.

Edhe anëtarja e Komisionit për Arsim nga PDK, Eliza Hoxha tha se shumica parlamentare sot sërish ka ikur nga përgjegjësia. Sipas saj, ikja e parë është nga ministrja Nagavci, e cila nuk ka arritur të përmbush obligimin e saj ligjor.

Ndërkohë, kallëzim penal ndaj ministres Nagavci ka paralajmëruar edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Në një konferencë për medie, Gashi ka thënë se ky “keqmenaxhim” u ka shkaktuar dëme ekonomike e emocionale prindërve.

“Ata u sollën në mënyrë jo institucionale, duke pa mundësuar Kuvendit që të shohë se ku janë problemet në lidhje me librat dhe cilat janë veprimet dhe mos veprimit që i ka bërë Qeveria. Qeveria është në shkelje të ligjit për tekste shkollore dhe në shkelje të ligjit parauniversitar. Kjo është një shkelje shumë e rëndë që Ministria po e bënë dhe për këtë do të përballen sipas gjitha gjasave edhe me ndjekje penale ministrja e Arsimit. Mendoj që pa aftësia e qeverisë për të menaxhuar këtë proces ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik dhe dëm emocional për prindërit dhe nxënësit i cili është dëm pa riparueshëm”, ka thënë ai./kp/