Pas rrahjes së tij, reagon media ku punon Gani Gërmia

Visar Dërmaku, gazetari satirist që në opinion njihet si Gani Gërmia është rrahur ditë më parë nga një person në Kamenicë. Sot, ka reaguar media ku punon ai, gazeta online “Reporteri”.

Sot ndërkaq është raportuar se personi që e ka rrahur atë, e që është me nënshtetësi austriake është arrestuar, derisa, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ky është postimi i Reporterit:

Në media mbrëmë ka qarkulluar lajmi se një punonjës i Gazetës Online “Reporteri.net” është përfshirë në një rrahje në Gjilan. Reporteri është i detyruar të sqarojë si në vijim:

Gazeta Online “Reporteri.net”, të shtunën rreth orës 02:30, është njoftuar nga punonjësi Visar Dërmaku, i njohur si Gani Germia, se është përfshirë në një rrahje që ka ndodhur në qytetin e Gjilanit.

“Reporteri.net”, natyrisht ka pranuar me shqetësim këtë rast, për të cilin është njoftuar menjëherë edhe Policia e Kosovës. Ndërkohë, Dërmaku pasi ka marrë trajtimin mjekësor, është intervistuar nga Policia, sikurse edhe personi tjetër me shtetësi austriake, Rigzon Kosumi.

Të dy palët janë intervistuar si të dyshuar.

Sipas autoriteteve të sigurisë, rrahja mes Dërmakut dhe Kosumit ka ndodhur për shkaqe personale mes palëve dhe nuk ka të bëjë me punën e Dërmakut, i cili prej muajsh është i angazhuar në “Reporteri.net”.

Ne ftojmë Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit që ta trajtojnë me seriozitet këtë rast dhe të sqarojnë deri në fund rrethanat e kësaj rrahjeje. Deri atëherë, Gazeta Online “Reporteri.net” njofton se ka ndërmarrë një masë disiplinore dhe etike ndaj punonjësit Visar Dërmaku .

Po ashtu, lusim të gjithë kolegët gazetarë dhe mediat që të mos i japin çfarëdo kahje këtij incidenti, por të bazohen në versionet zyrtare të Policisë apo Prokurorisë.