Pas takimit me zv. ambasadoren amerikane dorëzohet Basha: Nuk ka zgjedhje pa opozitën, votime bën edhe Koreja e Veriut (video)

Pas më shumë se një ore takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përsëriti edhe një herë qëndrimin e opozitës për pavlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

“Nuk ka zgjedhje më 30 qershor, shumë pak njerëz e kanë kuptuar këtë. E para, nuk ka zgjedhje pa opozitën, votime bën edhe Koreja e Veriut. Nuk ka rëndësi çfarë mendon Kryeministri. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen”, tha Basha. “Sot, kemi ligjin e zbatueshëm që thotë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Që do të thotë se çdo hap i Edi Ramës janë në fakt të paligjshme, ndërkohë që Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë është e gatshme për të mbrojtur demokracinë”.

I pyetur mbi atë që u diskutua me zonjës Mose-Ones, kreu i PD tha: “Nuk i komentoj takimet me përfaqësuesit e përfaqësive të thuaja në Tiranë. Konfirmimi është i qartë në gazetën zyrtare të Republikës së Shqipërisë. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratiko-kriminal i Edi Ramës”.

Ambasada e SHBA ka deklaruar vazhdimisht se nuk duhet penguar e drejta e njerëzve për të votuar, ndërsa vazhdimisht zyrtarë amerikanë kanë bërë thirrje për shmangien e dhunës gjatë protestave të opozitës.

Rreth mesditës, lideri i opozitës do të takohet edhe me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.