Pas vendimit të Kushtetueses, PDK kërkon nga Osmani emërimin e përfaqësuesit të dytë në KQZ

Sot Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për emërimin e përfaqësuesve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve – një kontest ky të cilin Partia Demokratike e Kosovës e konsideronte si tentim për t’ia marrë të drejtën këtij subjekti për dy përfaqësues në KQZ.

Lidhur me këtë, PDK ka reaguar nëpërmje tnjë komunikate për media duke thënë se sot u vërtetua e drejta e PDK’së dhe kanë kërkuar nga Osmani që ta emërojnë përfaqësuesin e dytë të PDK’së në KQZ.

“Sjellja e anshme politike e Presidentes Osmani po e rrezikon demokracinë, pluralizimin politik dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese.

PDK ka shprehur shqetësimin me kohë se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë t’ia mohojnë një të drejtë kushtetuese PDK-së, si partia e dytë më e madhe politike në vend.”, thuhet në reagimin e PDK’së.

Ky është reagimi i plotë:

Sot, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi të drejtën kushtetuese të Partisë Demokratike të Kosovës për të pasur edhe përfaqësuesin e saj të dytë në KQZ.

Hedhja poshtë e kërkesës së Presidentes Osmani për gjoja interpretim nga Gjykata Kushtetuese, në një çështje që ishte plotësisht ligjore dhe kushtetuese, flet për anshmërinë politike që ka marrë Presidentja e vendit në përpjekje për të dëmtuar partitë opozitare.

Veprimi i saj i fundit për të mos emëruar përfaqësuesin e PDK-së dhe të një anëtari të subjektit politik VAKAT, ishte vetëm në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje për t’ia dhënë asaj anëtarin e tretë që ishte paraparë të emërohej një bashkëpartiake e Presidentes Osmani.

Partia Demokratike e Kosovës fton Presidenten të mos tregohet e anshme që t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës duke emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ dhe anëtarin tjetër nga subjekti politik VAKAT.

Në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës është saktësuar qartë se si bëhet emërimi i anëtarëve nga radhët e grupeve parlamentare shqiptare. “Gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në Kushtetutë.

Sjellja e anshme politike e Presidentes Osmani po e rrezikon demokracinë, pluralizimin politik dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese.

PDK ka shprehur shqetësimin me kohë se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë t’ia mohojnë një të drejtë kushtetuese PDK-së, si partia e dytë më e madhe politike në vend.