Pasaporta e Kosovës, për 3 muaj aplikuan 531 serbë të veriut

Në prag të hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën, një numër i madh i qytetarëve serbë në veri janë të interesuar që të pajisen me pasaportë të Kosovës.

Sipas shifrave të ofruara për RTK-në nga Ministria e Brendshme, për 3 muajt e fundit, 531 serbë të komunave veriore aplikuan për pasaporta të Kosovës.

Datën se kur mund të lëvizin pa viza e dinë, por jo edhe procedurat që duhet t`i ndjekin nga 1 janari. Për këtë, qytetarët e komunave veriore po informohen nga Qeveria e Kosovës përmes aktiviteteve në terren.

E për të udhëtuar drejt shteteve të zonës Shengen, ata duhet të jenë të pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.

Disa qytetarë nga Mitrovica e Veriut ende nuk e kanë një dokument të tillë, por thonë se nëse ka nevojë, do të pajisen me të.

“Kam letërnjoftim të Kosovës qëkur ka ekzistuar. Nuk e kam marrë pasaportën sepse nuk kam pasur nevojë, nëse ka nevojë do ta marr, pse jo”, deklaroi Miroslav Laketiq.

Ndryshe nga ai, 22-vjeçarja Ema Laçkoviq posedon pasaportën e Republikës së Kosovës që nga mosha 18-vjeçare. Ajo thotë se pas liberalizimit të vizave, dëshiron t`i vizitojë fillimisht Italinë dhe Gjermaninë.

“Ishte veçanërisht e vështirë nëse udhëtonim për një periudhë të shkurtër kohore, një javë ose dhjetë ditë, dhe duhej të prisnim një kohë të gjatë për t`i përfunduar të gjitha ato procedura. Tani do ta kemi shumë më të lehtë të udhëtojmë”, deklaroi Laçkoviq.

Edhe qytetarë serbë nga Komuna e Zveçanit thonë se do të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës.

“Unë e kam letërnjoftimin, por tani pas liberalizimit të vizave, do të aplikoj edhe për pasaportë të Kosovës dhe të udhëtoj me të”, deklaroi një qytetare tjetër nga Zveçani.

Nga Qeveria thonë se interesimi i qytetarëve për t’u informuar rreth këtij procesi nuk po mungon as në komunat veriore.

“Fushata është gati në përfundim. I kemi komunat veriore, pastaj Istogun dhe do ta përmbyllim në Prishtinë të premten. Sot po shihet që ka interesim të qytetarëve rreth procesit të liberalizimit të vizave, kryesisht janë të komunitetit serb, por ka edhe shqiptarë”, deklaroi Gëzim Dushi, zyrtar për informim nga Zyra e Kryeministrit.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, interesimi i qytetarëve serbë për t’u pajisur me dokumente të Kosovës është rritur.

Në periudhën gusht-tetor të vitit 2023, vërehet dukshëm numër më i madh i qytetarëve serbë nga katër komunat veriore për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Fushata e informimit për liberalizimin e vizave do të vazhdojë edhe të martën në Zubin Potok e Leposaviq.