PDK e quan të paaftë qeverinë Hoti: Duhet të shkojë në shtëpi sa më herët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka mbajtur sot një konferencë për media.

Gjatë kësaj konference, deputeti Gashi ka denoncuar dy qeveritë e fundit, Kurti dhe Hoti, për siç ka thënë ai, “pa ide, pa vizion dhe pa ndjeshmëri për qytetarin e Kosovës”, në një kohë pandemie dhe kur ata kishin më së shumti nevojë.

“Sot bëhen 8 muaj, apo 245 ditë nga shfaqja e pandemisë Covid-19 në Kosovë. Shëndeti publik i popullatës po rëndohet cdo ditë me rritje të numrit të infeksioneve dhe numrit të vdekurve; kapacitetet spitalore në mungesë; ekonomia buzë kolapsit; mbyllje të bizneseve, punëtorë që mbesin pa punë çdo ditë dhe dhjetëra-mijëra familje janë zhytur në varfëri sipas Bankës Botërore.”, ka thënë Gashi.

Më tej, deputeti i PDK-së ka thënë se dy partitë, VV dhe LDK, që në tetorin e vitit të kaluar mashtruan qytetarët e Kosovës me parulla boshe për “qeveri të shpresës”, janë kthyer në “mbytëse të shpresës” së qytetarëve të Kosovës.

“Jemi sot në këtë konferencë për të rikujtuar edhe propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës të para 8 muajve në vlerë prej 320 milionë euro, e njohur si “pako emergjente” për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, që në fillim ish qeveria Kurti, e më vonë edhe kjo Hoti – e refuzuan, duke shikuar interesat e ngushta politike e partiake para interesit të qytetarëve. Me këtë rast, PDK kishte ofruar edhe 24 votat e saj për këtë pako.”,ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se arroganca dhe injoranca e kësaj qeverie ka bërë që vendi ynë tash e sa kohë të mbetet pa pako ekonomike, e cila do ti adresonte problemet me pandemi e ekonomi. Për me tepër, në vend se t’i ndihmojë bizneset, kjo qeveri ka vendosur ta mbyllë përsëri vendin.

“Nga një përllogaritje e deri-tanishme, del që për 245 ditë të pandemisë, shuma mesatare që një punëtor ka përfituar nga qeveria është qesharake, dhe hiç më pak a më shumë se 2.60 euro në ditë për një punëtor! Partia Demokratike e Kosovës e konsideron skandaloze situatën kur ekonomia nuk përkrahet e mbështetet, dhe qeveria vendos ta mbyllë edhe më shumë atë, e vecmas gastronominë, pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar.”, ka thënë Gashi.

Duke parë keqmenaxhimin e situatës deputeti Gashi ka thënë se kjo qeveri duhet sa më parë të ikë.

“Pra është një qeveri që duhet të shkoj në shtëpi sa më herët – sepse është e paaftë për të qeverisur dhe për ta menaxhuar pandeminë dhe ndihmuar ekonominë.”, ka thënë Gashi.

Duke folur për masat e fundit që ka ndërmarrë Qeveria, Gashi ka thënë se me vendimet e pa-analizuara mirë, kjo Qeveri vetëm sa do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike, duke mbyllur shumë biznese dhe duke lënë pa punë mijëra punëtorë të sektorit privat, duke prodhuar kështu një krizë të re sociale.