PDK e zyrtarizon deputeten Floretë Zenullahu kandidate për kryetare të Podujevës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se deputetja Floretë Zejnullahu do të jetë kandidate për kryetare të Podujevës.

Krasniqi thotë se Floreta, me shumë vullnet, do të angazhohet që Podujeva të përjetojë ndryshimin e madh, që e kërkojnë llapjanët, transmeton Fokusi.info.

Postimi i Krasniqit:

Floretë Zejnullahu është personifikim i idealit të familjes së saj prej patriotëve e luftëtarëve për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Xhaxhai i saj, Heroi Hakif Zejnullahu, ndër të parët, bashkë me Zahir Pajazitin, u ngrit në këmbë për ta larguar shtypjen, që gjeneratat e reja, të gjithë ne, ta përjetojmë lirinë, ta jetojmë shtetin e Kosovës dhe ta ndërtojmë e zhvillojmë atë.

Floreta ka ecur kësaj rruge me krenari, duke u bërë një profesioniste në shëndetësi dhe një aktiviste politike për më shumë mundësi për të rinjtë e të rejat

Ne jemi krenar që ajo është pjesë e PDK-së tash e sa vjet. Podujeva është krenare me të dhe për dy mandate i ka dhënë mbështetje për të qenë deputete në Kuvendin e Kosovës.

Floreta, me shumë vullnet, do të angazhohet që Podujeva të përjetojë ndryshimin e madh, që e kërkojnë llapjanët. Ajo është kandidatja jonë për kryetare të Podujevës. Ajo edhe do të jetë kryetare e Podujevës.

Me punën e saj, transparente e të pastër mbi të gjitha, Podujeva do të perjetojë ndryshime të mëdha, projekte inovative që sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, për vende pune e hapje te biznesit, më shumë sport e kulturë, më shumë barazi. Mbështetja jonë për të do të jetë e parezervë./Fokusi.info/