PDK-ja kërkon dorëheqjen e ministrit Blerim Reka

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tepër shqetësuese idenë e promovuar nga Qeveria e Albin Kurtit, përkatësisht Ministri i tij Blerim Reka, me të cilën do t’i bëhej një favor jashtëzakonisht i madh shtetit serb.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ditë më parë ishte pyetur se çfarë do të bënte nëse do të kërkohej t’i jepej diçka Serbisë për ta marrë Kosova ulësen në OKB, Reka ka thënë se mund t’i jepej korridori transit për dalje në Detin Adriatik, përmes Autostradës së Kosovës për në Durrës”. Ai këtë e ka quajtur “kompromis fer”, ndaj shteti serb.

Migjen Kelmendi, anëtar i kryesisë së PDK-së, në një konferencë për media ka thënë se Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka duhet të japë dorëheqje për këtë gjë.

Sipas PDK-së me një veprim të tillë Qeveria Kurti zgjidhjen e dialogut po e shohin me hapjen e korridoreve.

“Gjatë gjithë kësaj kohe PDK u përpoq të jetë parimore, fer dhe të ofrojë hapësirën për fituesit e zgjedhjeve 6 tetorit që ata të kenë mundësinë të punojnë dhe të punojnë në programin e tyre. Qeveria Kurti brenda këtyre 30 ditëve mori vendime që kërkon një qëndrim të opozitës dhe vëmendjen e opinionit publik dhe qytetarëve të Kosovës”.

“Ministri i Qeverisë Kurti, Blerim Reka këto ditë gjeti guximin që të hapë një çështje të moçne – tezë anakronike siç është ajo e daljes së Serbisë në Durrës, në deti, duke na kthyer prapa në kohë dhe hapsirë”, u shpreh Kelmendi.Kelmendi ka thënë se “teza e korridorit” e ka marrë një përgjigje historike, dhe tani është temë e vdekur që nga themelimi i shtetit shqiptar.

Idenë për hapjen e korridoreve, Kelmendi e quan gabim politik të Qeverisë Kurti, derisa ka kërkuar dorëheqjen e Rekës.

“Reka idenë e daljes në Durrës, për fatkeqësinë e tij dhe të Qeverisë Kurti, e bëri si propozim politik. Fatkeqësia e kësaj deklarate dhe rihapja e kësaj teme në esencë do të thotë me zgjedh mes territoreve dhe korridoreve. Zgjidhja sipas tij është hapja e korridoreve dhe kështu me kalu nga tema për territore në zgjidhje në hapjen e korridoreve. Më e pakta që mund të kërkohet është përgjegjësia publike dhe dorëheqjen e Rekës. Medoemos duhet me ia kërkuar përgjegjësinë Rekës”, ka thënë Kelmendi.