PDK në Vushtrri reagon: Sheshi “Hasan Prishtina” i përuruar sot, kryekëput meritë e Bajram Mulakut

Partia Demokratike e Kosovës- dega në Vushtrri ka reaguar ndaj kryetarit Xhafer Tahiri, i cili po i merr meritat e qeverisjes së kaluar, shkruan Fokusi.info.

“Ky ishte “një falënderim” i radhës nga Tahiri për Mulakun ani pse shtatorja, sheshi, objekti i komunës, salla sportive etj, etj., për të cilat po i merr meritat dhe po i gre krahët lart Tahiri, janë projekte të realizuara në qeverisjen e Mulakut, por të mbetura në finale.”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë i PDK-dega në Vushtrri:

Në vend që të jetë mirënjohës, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri injorimin e ka zgjedhur si metodë përshëndetjeje për gjithë simpatizuesit e PDK-së, duke e futur po në këtë mospërfillje edhe ish-kryetarin e komunës Bajram Mulakun, në ç’rast sot në përurimin e këtij sheshi të nderuarin Mulaku e kishin radhitur në ulëset e pasme dhe duke as mos e përshëndetur praninë e tij, megjithëse u përshëndeten emra pa kontribut. Ky ishte “një falënderim” i radhës nga Tahiri për Mulakun ani pse shtatorja, sheshi, objekti i komunës, salla sportive etj, etj., për të cilat po i merr meritat dhe po i gre krahët lart Tahiri, janë projekte të realizuara në qeverisjen e Mulakut, por të mbetura në finale.

Këtë e dëshmon dhe fotoja kur arriti shtatorja dhe u prit nga z. Mulaku dhe administrata komunale. Kryetar siç jemi ne në dijeni janë dhe shumë qytetarë në shumë takime, të cilët kanë parë në fytyrën tënde mllef për duartrokitjet dhe brohoritjet që i janë bërë Mulakut, edhe pse nuk ishte në qeverisje. E gjithë kjo e dëshmon një punë të mirëfilltë dhe dashuri për qytetin ku jeton!