PDK nuk heq dorë nga projektligji për vlerat e UÇK-së

“Çdo seancë që do të kemi do të jetë pikë e parë ky projektligj, pra kemi kohë ende, pra të reflektojnë dhe të arrijmë deri te votimi i tij”.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë lidhur me projektligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky projektligj sot nuk kaloi në lexim të parë, pasi morën pjesë vetëm 36 deputetë në votim. 35 votuan për e një kundër, transmeton Klan Kosova.

Menjëherë pas kësaj, deputeti Gazmend Bytyçi ka thënë se është befasuar se si disa deputëtë nuk patën guximin të jenë brenda sallës për votim.

“Është e çuditshme se si kolegët tanë nuk patën guximin të jenë brenda sallës për votim, një pjesë qëndruan jashtë e një pjesë brenda, por nuk votuan. I kuptojmë disa prej shqetësimeve të kolegëve, por ne i kemi siguruar që në leximin e dytë t’i bëjmë amandamentimet e nevojshme”.

“E rëndësishme është që me këtë ligj ta institucionalizojmë luftën çlirimtare, si një vlerë sublime. Çdo seance që do të kemi do të jetë pikë e parë ky projektligj, pra kemi kohë ende, pra të reflektojnë dhe të arrijmë deri te votimi i tij”.