PDK synon që përmes rrugëve ligjore ta rrëzojë vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja

Partia Demokratike e Kosovës, po synon që përmes rrugëve ligjore të rrëzoj vendimin e ZRRE-së për aplikimin e tarifave të reja të energjisë në vend.

Deputeti i këtij subjekti, Ferat Shala ka paralajmëruar se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për këtë çështje.

Në një prononcim për Indeksonline, ai ka thëne se do të insistojnë maksimalisht që të ketë një auditim të gjithë procesit se nxjerrjes së tarifave nga zyra e rregullatorit.

“Partia Demokratike e Kosovës është duke shikuar mundësitë juridike për tu ankuar në instanca gjyqësore dhe me zgjidhë në rrugë ligjore gjyqësore këtë problemtatike. Do t’i drejtohemi organeve gjyqësore në njërën anë, dhe në anën tjetër do të insistojmë maksimalisht që të kërkojmë një auditim të gjithë procesit të kalkulimit të nxjerrjes së tarifave nga zyra e Rregullatorit”, ka thënë Shala.

Ky proces, sipas tij, duhet të auditohet nga auditori gjeneral dhe instanca tjera të pavarura të auditorit nga specialistet e fushës të cilët do të konstatojnë rregullsinë dhe ligjshmërinë e kalkulimit tarifor për të cilën, ai thotë se ka bazë të dyshuar që është bërë në mënyre jo të duhur dhe jo transparence.

Deputeti i PDK-së ka bërë me dije se kryesia e Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar do të koordinohen edhe me partitë tjera opozitare për të gjitha hapat institucional që do t’i ndërmarrin.