PDK “tradhton” Ramiz Lladrovcin, konfirmon një kandidat tjetër për zgjedhjet lokale në Drenas

Partia Demokratike e Kosovës duket të jetë e vendosur që mos ta kandidojë Ramiz Lladrovcin për zgjedhjet lokale të vjeshtës.

Këtë e konfirmoi Driton Ajazi, që përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” deklaroi se ka marrë bekimin e PDK-së për të kandiduar në zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të Tetorit.

Më poshtë postimi i plotë.

Të nderuar anëtarë, struktura dhe simpatizantë të Degës së Partisë Demokraktike të Kosovës në Drenas!

Shumë të dashur qytetarë të komunës së Drenasit!

Sapo, mora mbështetjen nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vit!

E vlerësoj jashtëzakonisht shumë besimin e dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, që ti prijë këtij procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarëve të Drenasit dhe pres mbështetjen edhe të kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës, që ta konfirmojë kandidaturën time!

Besimi i dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, për mua është përgjegjësi dhe privilegj dhe do të shërbej si forcë inkurajuese, që angazhimi im politik të jetë në shërbim të qytetarëve të Drenasit!

Na priftë e mbara së bashku!

Me nderime,
Driton Ajazi