Pensionistët të mllefosur me ministrin Murati se nuk ua rriti pensionet, paralajmërojnë padi në këto Gjykata

Punëtorët e sektorit publik kanë marrë pagat e janarit me rritje.

Këtë rritje e ka mundësuar koeficienti i ri prej 110 euro.

Paga mesatare bruto tani me koeficientin e ri arrin shifrën e 780 eurove.

Kështu ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Buxheti për paga në vitin 2023 ishte për 17% më i lartë sesa viti paraprak. Kurse sivjet shtohen edhe 5% tjera, duke u siguruar kështu që rritja në vazhdimësi të tejkalojë normën e inflacion, që për vitin 2022 ishte 11.6% ndërsa për vitin 2023 ishte 4.9%”.

Kategoritë të cilat nuk po përfitojnë krahas rritjeve që ministria po ndërmerr, janë personat që jetojnë me asistencë sociale dhe pensionistët.

Këta të fundit kanë reaguar pas rritjes së pagave në sektorin publik.

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi, në një prononcim për Front Online është shprehur i mllefosur me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Gashi tha se Murati asnjëherë nuk i ka llogaritur pensionistët.

“Ky nuk është marr me çështjen e pensionistëve kurrë as nuk i ka llogaritur asnjëherë”, thotë Gashi.

Ai ka paralajmëruar se pensionistët do ta padisin Ministrinë e Financave.

Pasi sipas Gashit, duhet të ketë ndryshime tek pensionet.

“Së shpejti do t’i padisim në Gjykatë Themelore njëherë e pastaj në Supreme nëse është nevoja edhe në atë Kushtetuese. Besoj që Gjykata Themelore do t’i detyroj që me na pagu të gjitha ato para që nuk na kanë dhënë. Pensioni i personave që kanë përgatitje të lartë shkollore duhet me qenë 506 euro dhe pensionet mesatare 370 euro sipas llogarive tona”, thotë Gashi për Front Online.

Sipas tij, pensioni duhet të jetë sa paga mesatare e nivelit shtetërorë.

Ai tha se 100 euro nuk po mjaftojnë për asgjë.

“Rritja që po i bëhet sektorit publik e pensionistëve me 100 euro aspak e drejtë se pensionet duhet të jenë përafërsisht më pagën mesatare të nivelit shtetërorë. Askush nuk mund të mbijetoj me 100 euro”, theksoi Gashi për Front Online.

Pension kontribut pagues i moshës – është pensioni i rregullt mujor për qytetarët e punësuar në Republikës e Kosovës, të cilët i kanë paguar kontributet, në ish-Fondin Pensional të Kosovës para datës 01.01.1999.

Shuma e pensionit kontribut pagues të moshës nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit si në vijim:

Kategoria e parë-pensionist i pa arsimuar ose me arsim fillor – shuma e pensionit është 182 euro;

Kategoria e dytë – pensionist me arsim të mesëm- shuma e pensionit është 198 euro;

Kategoria e tretë –pensionist me arsim të lartë – shuma e pensionit është 214 euro;

Kategoria e katër –pensionist me arsim universitar- shuma e pensionit është 265 euro.