Përçahet administrata amerikane, shkak Koreja e Veriut

0
219

Shtëpisë së Bardhë duket se po i sos durimi me krerët e Pentagonit, të cilët nuk i kanë ofruar presidentit Trump opsione për një sulm ushtarak në Korenë e Veriut.

Sipas “New York Times”, që citon burime zyrtare, bëhet fjalë për sinjalin e radhës të përçarjes në radhët e administratës amerikane sa i takon qasjes ndaj regjimit të Kim Jong-un. Këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, gjenerali McMaster, ka deklaruar se që paralajmërimet e Trump të merren seriozisht në Kore duhet që Shtetet e Bashkuara të kenë përgatitur plane ushtarake të mirëfillta.

Por Pentagoni, nga ana e tij, është i shqetësuar se Shtëpia e Bardhë po ngutet me opsionin e ndërhyrjes ushtarake në gadishullin korean, një lëvizje që sipas krerëve ushtarakë mund të rezultojë me pasoja katastrofike.

“Më shumë opsione për presidentin mund të rrisin gjasat që ai të veprojë”, kanë deklaruar burimet për “New York Times”.

Tensionet në radhët e administratës amerikane kulmuan këtë javë, me vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të hequr dorë nga plani për emërimin e një të dërguari të posaçëm për Korenë e Veriut. Emri më i përfolur për këtë post ishte ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Seul, Victor Cha.

Ky i fundit deklaroi se ishte hequr nga lista pasi kishte shfaqur hapur qëndrimin kundër ndërhyrjes ushtarake, e cila sipas tij mund të kthehet në një spirale dhune, që mund të marrë jetën dhjetëra, qindra apo mijëra amerikanëve.