Përfundon rinumërimi i të gjitha vendvotimeve – NISMA-AKR-PD thonë se kalojnë pragun

Në QNR të KQZ’së ka përfunduar rinumërimi i 1407 vendvotimeve, për të cilat PZAP mori vendim rreth dy javë më parë. Zyrtarët e NISMA’s, po thonë se kjo parti në koalicion me AKR dhe PD, e kanë kaluar pragun zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ’së për Media, Valmir Elezi, ka konfirmuar se pak më parë ka përfunduar procesi i rinumërimit.

“Ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve, me vendim të PZAP’it. Falenderojmë të gjithë zyrtarët e rinumërimit të cilët kanë marrë pjesë në këtë proces. Sot është dita e 12 e rinumërimit të këtyre votave”, ka thënë Valmir Elezi.

Tutje, Elezi ka theksuar se rezultatet pas këtij procesi, do të publikohen në faqen zyrtare të KQZ sa më shpejt që është e mundur.

“Para se KQZ të bëjë certifikimin e zgjedhjeve, merr konfimimin e PZAP’it dhe Gjykatës Supreme se nuk ka ndonjë çështje e cila është në shqyrtim. Rezultatet pas këtij procesi të rinumërimit do të publikohen sa më shpejt që është e mundur”, ka shtuar ai tutje.

Ndërkaq, zyrtarët e NISMA’s në anën tjetër, kanë njoftuar pas këtij rinumërimi, kjo parti do të jetë zyrtarisht pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës.

Partia e Fatmir Limajt e ka kaluar pragun për 30 votat, ndërkaq deputetët të këtij koalicioni pritet të jenë Fatmir Limaj, Behgjet Pacoli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj dhe Mirlinda Sopi.