Përfundon seanca e sotme në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 23-të dëshmoi në sesion privat

Seanca e sotme në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar, në të cilën seancë ka dhënë dëshminë dëshmitari i 23-të në këtë çështje (me kodin 03827) në sesion privat.

I njëjti ka dhënë përgjigje në pyetjet e prokurores speciale Deborah Mayer si dhe ka dëshmuar përmes video-konferencës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në një moment të seancës është bërë një diskutim ku gjykatësi Charles Smith, ka pyetur mbrojtjen e Thaçit se a pranojnë të bëjnë kundër-pyetje për këtë dëshmitar.

E që, avokati Luka Misetic ka thënë se ‘‘si t’i bëjmë kundër pyetje një dëshmitari që vetëm thotë nuk mbaj mend fare që kam qenë në Qirez’’.

Por që gjykatësi Smith ka thënë se vetëm po i informon se kanë të drejtë të bëjnë këtë gjë.
‘‘Nuk po them se po heqim dorë nga e drejta për të bërë kundër-pyetjet, ne po kundërshtojmë zhvillimin në këtë drejtim se ne nuk mund të bëjmë dot kundër-pyetje këtij dëshmitari’’, tha avokati Misetic.

‘‘Unë po them që keni opsionin, mbase zgjidhni ju çfarë doni të bëni’’, tha më tej gjykatësi Smith.
Andaj, pas konsultimit me kolegët e tjerë, avokati Misetic tha se mbështetur në vendimin e trupit gjykues do të vazhdojë, por se në qoftë se dëshmitari refuzon të jap përgjigje, atëherë do ju kërkojnë trupit gjykues që të vendosin lidhur me kundërshtimin e urdhrit të trupit gjykues për të dhënë dëshmi.