Përfundon takimi i tretë i grupeve punuese VV-LDK, fokusi te ekonomia

Pas më shumë se tri orësh ka përfunduar takimi i tretë i grupeve punese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Pas takimit, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka treguar se sot në fokus të diskutimeve ka qenë harmonizimi i programit ekonomik.

“Për tri orë të tëra, që kanë qenë diskutime mjaft intensive, folëm vetëm për këtë fushë. Mund t’ju them se janë ngritur mbi 40 tema, pra është diskutuar për 40 çështje të ekonomisë”.

“Mbi 90 % prej tyre jemi pajtuar se çfarë vendime dhe çfarë reforme do të duhej të merrte qeveria e ardhshme, për 10 % për të cilat nuk kemi qenë dakordime finale do t’i kurorëzojmë në takimet e ardhshme”.

“Për temat më të rëndësishme kemi gjetur pajtim, mirëpo ne duam të dakordohemi që të mos jetë asgjë e pasqaruar në qeverinë e ardhshme. Duam që diskutimet të jenë sa më të thella në mënyrë që kur të fillojë praktikisht funksionimi i qeverisë së ardhshme të mos na dalin mospajtime”.

Ai ka thënë se nuk është diskutuar se kush do të jetë në krye të Ministrisë së Financave, njofton Klan Kosova.

“Sot nuk është folur për asnjë emër. Kemi folur vetëm për ekonominë – ka qenë një lloj përballje e programit vetëm të nivelit ekonomik të LDK-së me atë të Vetëvendosjes”.

“Këto kanë qenë programe mjaft të detajuara sepse nëse keni mundur ta përcillni edhe fushatën elektorale, LDK-ja dhe Vetëvendosje janë fokusuar mjaft shumë në ekonomi dhe në masat e zhvillimit ekonomik”.

“Ju e keni parë që Vetëvendosja e ka pasë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore, derisa LDK-ja e ka pasë Fondin Investiv. Si këto që po i përmendi i keni pasë së paku 20 ose 30 premtime të caktuara të partive politike”.

“Këto duhet t’i fuzionojmë dhe të gjejmë pikat e përbashkëta, pra duhet që prej këtyre dy programeve që kanë qenë gjatë fushatës zgjedhore dhe premtimeve me të cilat i kemi fituar zgjedhjet të mund të vijmë te një plan i qartë i zhvillimit ekonomik”.

Konjufca ka thënë se janë paraparë që të mbahen edhe katër takime të grupeve punuese ku do të diskutohet për katër tema të tjera.

Por, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë edhe më shumë takime.

“Diskutimet do të vazhdojnë. Zhvillimin ekonomik vetëm do ta përmbyllim, të tjerat diskutime do të jenë për drejtësi, çështjet sociale, për arsim dhe shëndetësi”.

“Për katër takimet e ardhshme jemi pajtuar, nëse na duhet do të takohemi edhe më shumë se katër herë. Kemi menduar që edhe për katër takime do të vijmë te një konkludim pothuajse 100 % i pajtimeve tona për qeverinë e ardhshme”.