Përkujtohet dëshmori, Hamdi Ferati (foto)

Me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorit, Hamdi (Qazim) Ferati, sot është mbajtur Akademi përkujtimore nën organizimin e Komunës së Vushtrrisë dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, raporton Fokusi.info.

Në këtë akademi ishin të pranishëm: përfaqësues të institucioneve komunale, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarë të policisë, bashkëluftëtarë, një delegacion nga qyteti Norwalk (Iowa) i SHBA-ve, qytetarë dhe familjarë.

Hamdi Ferati është dekoruar nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi me titullin “Hero i Kosovës”, ku me këtë rast familjes iu dhurua dekorata.

Po ashtu, janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Stanoc të Epërm të Komunës së Vushtrrisë, si dhe tek lapidari i dëshmorit në hyrje të qytetit të Vushtrrisë.

Kush ishte Hamdi (Qazim) Ferati?

Hamdi (Qazim) Ferati u lind në fshatin Sfaraçak të Komunës së Vushtrrisë më 20 shkurt 1959 në një familje të shquar me traditë patriotike. Më 1919-20, babëgjyshi, Ademi e kushëriri i tij, Syla, në pusi te Gryka e Selacit i vrasin shtatë gjandarë serbë. Si hakmarrje, gjandarët e tjerë e rrethojnë dhe e djegin fshatin e tyre. Aty i djegin të gjallë edhe dy pleq që s’ishin larguar nga fshati. Më vonë, më 1941-1943, axha i Hamdiut, Selimi, ka qenë pjesëmarrës në lëvizjet çlirimtare, i cili ka rënë në front për lirinë e Shqipërisë etnike. Ndërkaq, Halimi ishte ushtar në Batalionin e Ibrit, i komanduar nga daja i tij, Ahmet Selaci, patriot e luftëtar i shquar i asaj kohe në Kosovë. Më 1947, Halimin e arrestojnë dhe e dënojnë me dy vite burg.

Hamdiu ishte i dyti, nga pesë djemtë e tri vajzat e prindërve Qazim e Zet-hane Ferati. Fizikisht ishte i shëndetshëm, mjaft i zhvilluar e muskuloz, pos tjerash, i përgatitur për luftë të armatosur.

Shkollën fillore e kreu në fshatin Samadrexhë, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Vushtrri. Mërgoi në Zvicër, ku u mor me ndërtimtari. Atje hyn në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në shtëpi shpesh ka sjellur literaturë e mjete të tjera me shenja patriotike. Si familje e shënuar nga armiku për patriotizëm të shquar, bastiset nga policia serbe, ku i gjinden e i konfiskohen armë e municion. Për këtë shkak, edhe i vëllai, Sabriu, detyrohet të emigrojë në Zvicër, pa e pritur akt-padinë.

Me rastin e pjesëmarrjes së tij në varrimin e dëshmorit Halit Geci në LLaushë, ku doli në skenë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga : Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj, Hamdiu u frymëzua edhe më tej t’i bashkohet UÇK-së dhe luftës çlirimtare. I telefonon vëllait në mërgim, Sabriut se “nuk mbetet rrugë tjetër përveç luftës për liri dhe prej tani në mua mos llogarit ndryshe, pos detyrës së luftëtarit!”. Ndërkaq, pikërisht në ditën e inaugurimit dhe uniformimit, bashkëshortja e tij e pyet: “Përse je kaq i gëzuar, kur po shkon në front drejt rreziqeve? Ai i përgjigjet: “Sidoqoftë, kjo është kënaqësia ime më e madhe, për të cilën kam ëndërruar qëmoti “.

Që nga ato ditë, Hamdiu ra në kontakt me veprimtarë të rezistencës ushtarake, së pari me dajtë Isë e Selim Mernicën dhe ndër të parët u inkuadrua në luftë, pikërisht më 18 korrik 1998, kryesisht në funksionin e eprorit të policisë ushtarake me gradën e togerit, në kuadër të batalionit të katërt “Enver Musa” të Brigadës 141 “Mehë Uka”, togu PU të ZOSH-it. Por, në raste të domosdoshme, kreu të gjitha detyrat e nevojshme ushtarake në front, armatim, logjistikë e kudoqoftë, madje edhe në furnizim me ndihma materiale për nevoja ushtarake (mish nga pasuria e vet blegtorale, të holla për armatim e municion, veshëmbathje e ushqim, pos tjerash edhe 25.000 DM për të paguar kontingjentin e armatimit të ardhur ilegalisht nga Sarajeva) etj. Pos këtyre, Hamdiu me disa bashkëluftëtarë, përcolli shumicën e kontingjenteve të armatimit ilegal deri në bazë.

Batalioni i IV, i formuar më 4 korrik 1998 me seli në Ceceli nga Gani Imeri, komandant. Në fillim, batalioni ndihmohej nga banorët e fshatit Ceceli, ku e kishte selinë e tij, derisa gradualisht e mori veten dhe u forcua. Vetë Hamdiu i dha mbështetje materiale, morale e shpirtërore, por edhe forcë, krah e rritje këtij batalioni. Pos kësaj, në bashkëpunim me komandantin e batalionit, Gani Imerin, Hamdiu punoi në furnizimin e batalionit me armatim e municion, që ato ditë mungonte. Në cilësinë e komandantit të njësisë për armatim ka qenë në Deçan, bashkë me tezakun bashkëluftëtar Nexhmi Ibishin nga Tërstena.

Sidomos pas ofensivës së shtatorit 1998 në Shalë të Bajgorës, me rastin e rikonsolodimit të brigadës, Hamdiu u caktua për rimëkëmbjen e batalionit të IV me të gjitha nevojat që i duheshin. Si themelues e udhëheqës i Policisë Ushtarake, në kuadër të Batalionit të IV, me gradën e togerit të asaj njësie, dha kontribut të çmuar dhe u bë shembull për njësitet e tilla të batalioneve të tjera të Brigadës.

Më 10 maj 1998 në orën 9:00, Hamdiut me bashkëluftëtarët, Zeqir Gashit dhe Mursel Ukës, u jepet detyrë ushtarake nga komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”, Hys Ahmeti, të shkojë në Vushtrri për furnizim me armë e municion. Rrugës për në Vushtrri, në fshatin Studime, bien në pritë të forcave policore-ushtarake serbe të pozicionuara në dy shtëpi dykatëshe dhe në këmbim të dyanshëm të zjarrit, nga plumbat e një snajperi të armikut, Hamdiu merr plagë të rënda vdekjeprurëse dhe menjëherë merr përjetësinë për liri e atdhe, ndërsa Mursel Uka plagoset më lehtë. Njësia përforcuese e UÇK-së, e lajmëruar nga Zeqiri, pas një përleshjeje të ashpër kundër armikut nga afërsia, arrin ta tërheqë Hamdiun, tashmë të vdekur dhe e varrosin po atë pasdite me nderime ushtarake në Ceceli, në varrezat e dëshmorëve të rënë për Shqipërinë etnike, më 1945.

Rivarrimi i dëshmorit bëhet pas luftës në varrezat e dëshmorëve në Stanoc të Vushtrrisë. Emri i tij prej dëshmori të merituar shkëlqen edhe në lapidar të ngritur në hyrje të Vushtrrisë, në pllakat përkujtimore në Bare e në Lapidarin e dëshmorëve në Marinë të Skënderajt.

Ai la pesë fëmijë, dy djem (Liridoni e Jetoni) e tri vajza: dy binjake (Velora e Valdona) dhe Merita.

(Kjo pjesë rreth biografisë së dëshmorit është marrë nga radio Kosova e Lirë).