Përkujtohet masakra e Tivarit

Sot në një akademi është përkujtuar njëra prej tragjedive më të përgjakshme dhe më të dhimbshme, ku nga forcat jugosllave në Tivar të Malit të Zi u vranë dhe u masakruan mijëra shqiptarë, ngjarje kjo e cila edhe pas 74 vjetësh vazhdon të mbetet e pandriçuar si duhet.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se pa u ndëshkuar kryesit e këtij krimi makabër, kjo ngjarje rrezikon të përsëritet, andaj porositi institucionet e shtetit se jo vetëm që duhet të diskutojnë, por edhe të ndërmarrin veprime për të zbuluar të vërtetën.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se masakra e Tivarit është tragjedia më e madhe dhe vazhdimësi e krimeve të Serbisë.

Se krimi dhe gjenocidi i bërë aso kohe ishte i qëllimshëm, e thotë edhe Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë. Sipas tij, edhe pas shtatë dekadave nuk janë gjetur as trupat e viktimave, e madje nuk ekziston as lista e tyre e plotë.

Ndryshe, para 74 vjetësh, saktësisht në pranverën e vitit 1945 u vranë dhe masakruan me mijëra shqiptarë në Tivar, e kryer nga forcat jugosllave, ngjarje kjo që vazhdon të mbetet e pandriçuar si duhet. /KosovaPress/