Përmbytjet, Rama: Vetëm dëshpërimit të opozitës nuk iu gjet vaksina

Kryeministri Edi Rama, në komunikim online, të zhvilluar për paraqitjen e situatës aktuale në vend pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, tha se ekipet e emergjencës janë në terren dhe se është punuar ditë pas ditë për normalizimin e situatës.

Gjithashtu Rama nuk la pa përmendur edhe reagimet nga “kundërshtarët” politikë duke i konsideruar ato akuza politike.

Sipas tij opozita përdor fatkeqësitë natyrore për qëllime politike, ndërsa shtoi se puna vijon me një protokoll standard të Emergjencave Civile

“Akuzave politike s’kemi çfarë i bëjmë. Covidi-t iu gjet vaksina e imunizimit që shpresojmë ta injektojmë në vendin tonë duke nisur nga mjekët dhe infermierët para afatit që kemi deklaruar, shkruan abc news.

Ndërsa vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula dhe për shkak të dëshpërimit, ata kapen pas çdo mundësie apo fatkeqësie natyrore për të bërë politike. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, ashtu si në këtë moment të vështirë për shkak të reshjeve të dendura.

Ne kemi një protokoll standard për Emergjencat Civile, nivele të gatishmërisë dhe përshkallëzimin e prezencës në territor, të gjitha këto janë zbatuar dhe situata nuk ka si të jetë e pëlqyeshme në zona ku reshjet kanë qenë shumë intensive, por është fakt se falë punës së bërë ditë për ditë dhe vit pas viti, sot u theksua se kemi një gjendje shumë më të pranueshme dhe absolutisht në kontroll krahasuar me çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishte në ato vite ku bëhej hataja.

Sot është me rëndësi që të themi se niveli i gatishmërisë dhe reagimit ka ardhur duke u përmirësuar. Ky fakt shikohet edhe në gjithë çfarë ndodh në terren. Është me rëndësi të theksohet se nuk ka dëm në jetë njerëzish, nga pikëpamja e banesave dëmet janë minimale, po ashtu kur ka pasur pengim të lëvizjes është ndërhyrë menjëherë”, tha më tej Rama.