Përparim Rama u ofron ndihmë qyteteve të prekura nga vërshimet: Mitrovicën e ndihmuam

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se komuna që udhëheq ai është e gatshme t’u dalë në ndihmë komunave të prekura nga vërshimet.

Rama ka shkruar të premten në Facebook se Prishtina i ka ardhur tashmë në ndihmë komunës së Mitrovicës.

“Ndjehem i pikëlluar të shoh vërshime në vende të ndryshme të Kosovës, të cilat kanë shkaktuar dëme dhe kanë trazuar jetën e qytetarëve. Kryeqyteti ka shprehur gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë të gjitha komunave të cilat gjenden në vështirësi si pasojë e vërshimeve. Në vendbanimet e Komunës së Prishtinës gjendja është stabile. Sektori për Siguri dhe Emergjenca i Drejtorisë së Inspekcionit të Kryeqytetit, tashmë i ka ardhur në ndihmë Komunës së Mitrovicës. Në këto kohë të vështira, të qëndrojmë së bashku duke ndihmuar njëri-tjetrin”, ka shkruar Rama.