Petkoviç thërret serbët e Kosovës në mosbindje: Kurti dhe i forti i tij Bislimi s’mund të na gënjejnë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç është shprehur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkallëzim të masave për targat ilegale në Veri është “gënjeshtër dhe demagogji”, por që ai dhe serbët në Kosovë nuk e kanë blerë.

Duke e quajtur zëvendës-kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, “i forti i Albin Kurtit”, Petkoviç deklaroi në një komunikatë me shkrim se “ata nuk kanë mashtruar askënd me gënjeshtrat dhe demagogjitë”.

“Është e njohur për mbarë opinionin ndërkombëtar se Kurti ka përgatitur ferrin për serbët në Kosovë nga 1 nëntori, plotësisht i vetëdijshëm dhe përgjegjës për pasojat e një sjelljeje të tillë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, por sado që ai ëndërron të pushtojë popullin serb, le ta dijë mirë se kjo nuk do të ndodhë kurrë dhe se Beogradi do të jetë gjithmonë me popullin e tij”, shkroi Petkoviç.

Më pas ai ka lëvduar vetën dhe presidentin e tij, Aleksandër Vuçiç, duke shkruar se ata dhe sjelljet e tyre të matura janë arsyeja pse “çdo lloj tensioni dhe krize në Kosovë u shmang”.

“Prandaj nuk ka asnjë nënshtrim që Kurti dhe Bislimi do të përpiqen ta zbatojnë”, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës, i cili në fazën e dytë të implementimit, parasheh gjoba për të gjithë ata që bartin targa ilegale të lëshuara në Serbi.

“Sepse çdo gjë që bëjnë, e bëjnë me qëllimin afatgjatë të dëbimit të popullit serb, gjë që Beogradi nuk do ta lejojë kurrë”, përfundon komunikata e tij.