Plagoset një 6-vjeçar në Bulqizë

Sipas policisë një person ka qëlluar me armë zjarri automatik drejt shtëpisë ku ndodhej dhe për pasojë plumbat kanë kapur fëmijën 6 vjeç, i cili është plagosur rëndë.

Aktualisht 6- vjeçari ndodhet në spitalin e Peshkopisë. Pak orë pas plagosjes së vogëlushit, policia ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e autorit të krimit.

Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se rreth orës 01:15, të mëngjesit të sotëm, është marrë informacion, se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal, mes shtetasve J. K., H. Rr. dhe Sh. P, shtetasi J. K, është larguar nga lokali dhe dyshohet se ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të banesës të shtetasit H. Rr, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një fëmijë i mitur, i cili po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e mëngjesit, është bërë kapja e autorit të ngjarjes shtetasit J. K., 27 vjeç, banues në Krastë, si dhe sekuestrimi i armës së krimit. Grupi hetimor vijon hetimet në vendngjarje.