Po tentonin të bllokonin dyert e objektit të komunës në Zveçan, shoqërohen në Polici dy persona

Mbrëmë, pas mesnate, Policia ka hasur në dy persona duke punuar në dyert e ndërtesës së Komunës së Zveçanit, me qëllimin për t’i bllokuar dyert, duke salduar hekura në to.

Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori Rajonal për rajonin e Mitrovicës së Veriut në Policinë e Kosovës, Veton Elshani, i cili ka thënë se të dyshuarit janë shoqëruar në stacion dhe janë intervistuar.

“Rreth orës 1 në mëngjes patrullat policore kanë has në dy persona duke punuar në dyert e ndërtesës se Komunës së Zveçanit. Për arsye të prishjes se rendit dhe qetësisë publike dhe me qëllim me kuptu se çfarë po bëjnë aty, këta dy persona janë sjellë në stacion dhe janë intervistu. Të njëjtit janë liruar pas intervistimit”, tha ai.