Policët shkojnë për të ndarë sherrin, rrihen nga personat që po ziheshin

Një situatë e pazakontë ka ndodhur mes dy burrave dhe dy policëve në një karburant në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për një sherr të nisur mes dy burrave të moshave 44 dhe 35 vjeç.

Policët kanë shkuar në vendngjarje pas një telefonate se në Shkozet, në afërsi të një karburanti, po ndodhte një konflikt mes disa personave. Mirëpo, si për çudinë e të gjithëve, personat që më parë po konflitkoheshin, janë bërë bashkë dhe kanë nisur të dhunojnë policët.

Për pasojë, policia ka thirrur në ndihmë forca shtesë, duke arritur të neutralizojë autorët dhe t’i arrestojë ata.

Njoftimi i policisë:

“Në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në Shkozet, në afërsi të një karburanti po ndodhte një konflikt mes disa personave.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kur kanë mbërritur, dy prej personave të përfshirë në konflikt kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Shërbimet e Policisë pas ardhjes në ndihmë edhe të shërbimeve të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e tyre.

Në përfundim të verimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

M. H., 44 vjeç dhe F. H., 35 vjeç, banues në lagjen Nr. 14, Durrës për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë të rendit publik, kryer në bashkëpunim”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.”