Policia e Kosovës: Dikush në emrin tonë po lëshon e-maila, për kinse urdhër gjykate

Policia e Kosovës ka dalur me një njoftim jashtëzakonisht shqetësues. Sipas Policisë, dikush po falsifikon e-maila, vula, e po thirret në emër të Policisë, duke pretenduar se ndaj personit që i dërgohet ky e-mail, ka urdhër gjykate.

Tutje Policia ka dhënë detaje se si po përdoren edhe emrat e zyrtarëve policor në këtë “falsifikim”.

E plotë:

Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar reagon ndaj qarkullimit dhe shpërndarjes nëpër e-maila të ndryshëm të disa informacioneve dhe dokumenteve false, që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës, dhe njëherit sqaron se;

Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

Në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, kanë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe llogot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Policia e Kosovës, njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve/mashtrimeve të tilla, dhe kushdo që mund të pranoj ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.