Policia flet për sulmin ndaj bamirësit në Ferizaj, që PDK thotë se ia bëri Vetëvendosje

Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin fizik të së shtunës në Ferizaj, të cilin sot e raportoi dega e PDK’së në këtë komunë, ku thotë se bamirësi Jakup Sabedini është rrahur keq nga aktivistë të Vetëvendosjes.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Agim Gashi në një prononcim për Periskopin ka treguar se kanë identifikuar një person të dyshuar për sulmin në fjalë, por i cili pastaj është liruar në procedurë të rregullt.

‘’Rasti është raportuar në polici. Një person është identifikuar si sulmues dhe është sjellë në stacionin policer. I është bërë kallëzimi penal në bashkëpunim me dhe konsultim me Prokurorin për lëndim trupor. I njëjti me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt në Gjykatë.Rasti ka ndodh në restorant’’, ka thënë Gashi për Periskopin.

Është dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, që sot përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar lëvizjen Vetëvendosje për sulm fizik ndaj veprimtarit të tyre.

Regimi i plotë i degës së PDK’së në Ferizaj:

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! sulmojnë rëndë humanistin dhe veprimtarin e PDK-së në Ferizaj, Jakup Sabedini

Dhuna është e papranueshme kudo që ndodh e ndaj kujtdo që ndodh! Fatkeqësisht, të shtunën, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! në Ferizaj, sulmuan aktivistin e devotshëm politik të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe humanistin shembull të qytetit tonë, Jakup Sabedini, me ç’rast ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku ofrimi i shërbimeve urgjente mjekësore ishte i pashmangshëm. Rasti është raportuar menjëherë tek organet e sigurisë, porse deri më tani, nuk ka asnjë veprim që do ta ndriçonte rastin në plotni.

Kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, përmes këtij reagimi, dënon fuqishëm këtë akt të dhunës të motivuar politikisht dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor.

Shembujt e tillë ku spiralja e dhunës shtrihet mbi aktivistët politik dhe humanistët e dalluar, thyejnë rëndë besimin e qytetarëve në forcat politike dhe humbin përfundimisht parametrat e një gare e pjesëmarrje të ndershme në subjektet e aktivitetet politike.

Aktivisti Sabedini, ishte i anëtar i shtabit zgjedhor lokal në PDK-n e Ferizajt, në zgjedhjet e 6 tetorit, motiv ky që nxiti sulmin ndaj tij nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! e si rrjedhojë, kërcënimet e tilla kanë ndodhur për një interval të konsiderueshëm kohor.