Policia jep detaje për punëtorin e KEK-ut që u gjet i vdekur

Gjatë ditës së djeshme ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike Besim Ibrahimi nga Zabeli i Ulët.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se policia ka filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

“Rreth orës 14:00 është raportuar për një rast të vdekjes së dyshimtë, të ndodhur në fshatin Zabel i Ulët të komunës së Drenasit. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit”.

“Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, 55-vjeçar. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se viktima ka humbur jetën si rezultat i thithjes së tymit të shkaktuar nga një ngrohëse elektrike”, u shpreh ai.

Tutje, ai bëri të ditur se policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes, përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.