Policia jep detaje rreth vdekjes së punëtorit që ra nga ndërtesa ku po punonte

Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi rastin e ndodhur të hënën e 22 gushtit në Prishtinë, ku një i ri i moshës 28 vjeçare, ka humbur jetën si pasojë e rënies nga ndërtesa ku ishte duke punuar.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Portali Dukagjini, se viktima ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Sot në stacionin policor në Prishtinë, është iniciuar një rast hetim mbi vdekje. Rasti ka ndodhur në rrugën “Holger Pedersen” në Prishtinë, ku viktima mashkull, 28 vjeç, dyshohet se ka rënë nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime. Viktima mashkull, nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti në QKUK, ka ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, rasti po hetohet nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës.

Ndërkaq, nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, është shprehur e tronditur për ngjarjen e ndodhur.

Ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se komunat, e sidomos kryeqyteti, kanë nevojë urgjente për numër më të madh të inspektorëve nga Inspektoriati i Punës.

“E tronditur për punëtorin 30 vjeç që humbi sot jetën në një vendpunishte ndërtimi në Prishtinë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen. Edhe një tjetër viktimë e mungesës së sigurisë në punë. 7/13 punëtorë të vdekur në vendin e punës në 2021 ishin burra të sektorit të ndërtimtarisë. Deri kur?”, ka shkruar ajo.

Sahatçiu ka theksuar se siguria dhe shëndeti në punë janë qenësore edhe për besimin e gjeneratave të reja se mund të punësohen pa e lëshuar vendin për mundësi më të mirë.