Policia ka identifikuar veturën me të cilën ikën plaçkitësit e thasëve me para të bankës

Policia e Kosovës ka njoftuar se numri i të dyshuarve që kryen grabitjen e armatosur në një bankë në dalje të Prishtinës është katër. 
Sipas Policisë, është arritur të identifikohet vetura me të cilën katër të dyshuarit kanë kryer plaçkitjen e më pas janë arratisur.
Gazeta Express mëson se tre prej katër plaçkitësve ishin të armatosur me armë të gjata. Ata kanë arritur të plaçkitin thasët me para që po futeshin në bankë nga sigurimi.
“Ju njoftojmë se sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur. Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në Çagllavicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore. Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë,  dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga katër persona të dyshuar dhe të armatosur”, thuhet në kumtesën e PK’së.
“Të dyshuarit pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë e cila është identifikuar nga ana e policisë. Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre”, shtoi tutje Policia.