Policia për rastin e 18-vjeçarit nga Podujeva: Dy persona janë arrestuar, po kryhen hetime për vrasje të rëndë

Dy persona janë të arrestuar lidhur me rastin e Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit që vdiq të shtunën pasi u rrah brutalisht më 14 janar në Podujevë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se të dyshuarit janë arrestuar në ditën kur ka ndodhur rasti dhe se po hetoheshin për veprën penale “Vrasja në tentativë”.

“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intensiv ka ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale ‘Vrasja në tentativë’ përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën ‘Drenica’ në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë. Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor”.

Borovci ka shtuar se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Ndryshe, për vdekjen e rreth 18-vjeçarit ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Rast i rëndë e shumë prekës vdekja tragjike e të riut, L.F. i cili na tronditi të gjithëve me rrethanat e vdekjes. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe shoqërisë së të ndjerit!” ka shkruar ai në Facebook.