Policia thotë se nuk përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan para Kuvendit të Kosovës, të cilët po kërkojnë që të përfshihen në projektligjin e pagës minimale.

Në këtë protestë e cila eskaloi pasi që veteranët thyen rrethojën e Kuvendit të Kosovës dhe u futën në oborrin e Kuvendit, u përdor edhe gaz lotsjellës.

Në medie u raportua se ka qenë Policia e cila ka përdorur gaz lotsjellës me qëllim të shpërndarjes së protestuesve, mirëpo vetë Policia e Kosovës, ka njoftuar se kjo protestë e veteranëve të UÇK-së nuk ka qenë e lajmëruar në Polici dhe se në asnjë moment Policia nuk ka përdorur gaz lotsjellës, por që kanë qenë protestuesit ata që kanë përdorur gaz tymi.

“Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare. Përderisa protesta ishte duke u mbajtur, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë ti dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së. Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherësh demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Reagimi i plotë i Policisë së Kosovës, pa ndërhyrje:

Sot, rreth orës 10:00 para Kuvendit të Republikës së Kosovës ka filluar të mbahet protesta e pa lajmëruar në polici, e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe sipas tyre për ta kundërshtuar ndryshimin për heqjen e kategorisë në lidhje me pagën minimale.

Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare.

Përderisa protesta ishte duke u mbajtur, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë ti dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së.

Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës.

Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor.

Po ashtu sipas informacioneve të deritanishme një qytetarë ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasoj e gazit/tymit të hedhur.