Politikani anti-shqiptar Mickoski: Qeverinë e re e formon VMRO-ja me VLEN – s’kam dëgjuar se i kanë kusht ndryshimet kushtetuese

Hristjan Mickoski, lideri nacionalist i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, ka thënë se qeveria e ardhshme, që do formohet pas zgjedhjeve të 8 majit, do të bëhet mes partisë që ai udhëheqë dhe koalicionit të partive opozitare shqiptare, koalicinit “VLEN”, duke shtuar se të njëjtit nuk i kanë kusht ndryshimet kushtetuese për t’u bërë pjesë e ekzekutivit.

Këto komente, Mickoski i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, derisa iu kundërpërgjigj Kreshnik Bekteshit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili theksoi se lideri nacionalist maqedonas duhet ta kërkojë në “Google Maps”, Reçicën e Vogël, vendi ku gjendet selia kryesore e BDI-së.

“E kam gjetur Reçicën e Vogël, por do të shohim tutje si do të funksionojnë ata Google maks…Maps dhe nëse do të jetë Idrizova destinacioni që ata do ta kërkojnë”, tha fillimisht Mickoski, transmeton “TV21”.

Ai ka shtuar se sa i përket qeverisë së re, qytetarët kanë folur duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale – të fituar në kampin maqedonas bindshëm nga VMRO-ja – por si partnerë shqiptarë ka zgjedhur “VLEN”-in, ndonëse janë humbës të zgjedhjeve presidenciale nga “Fronti Evropian” te shqiptarët për rreth 40 mijë vota.

“Qytetarët folën, koalicioni i ardhshëm në Maqedoni do ta udhëheq VMRO-DPMNE, ndërsa në të do të jetë koalicioni që në këto zgjedhje mori pjesë nën emrin VLEN”, potencoi ai.

Ndërkaq, sa i përket nëse do t’i pranojë kushtet e “VLEN”-it për ndryshimet kushtetuese – të domosdoshme për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian – pohoi se nuk ka dëgjuar për këso kërkesash nga ta.

“Me BDI-në nuk kemi qëllim të jemi…Me VLEN? Unë nuk kam dëgjuar që VLEN ka kusht të tillë, atë kusht po e imponon BDI, duke kërkuar kashtë për shpëtim”, deklaroi Mickoski.

Lini një Përgjigje