Pozhari: Më ka dëshpëruar kjo Qeveri, ndoshta tërhiqem nga jeta publike

Xhevdet Pozhari, që në publik u bë i njohur për përkrahjen ndaj Qeverisë Kurti, thotë se ajo po e dëshpëron me të madhe. Kësisoj, ai paralajmëron se ndoshta edhe mund të tërhiqet krejtësisht nga jeta publike.

Pozhari thotë se është lodhur duke parë se si arsyetohen, sipas tij, hajdutët e mëditjeve. E ka dëshpëruar edhe emërimi i Rifat Latifit në krye të ministrisë së Shëndetësisë nga Kryeministri Albin Kurti.

Lajmërimin për tërheqjen e tij nga dhënia e mendimeve publikisht, Pozhari e ka quajtur “lajm të mirë për hajnat”.

Lexojeni të plotë dhe pa ndërhyrje njoftimin e tij, të publikuar në Facebook:

Një lajm i mirë për hajnat: Ndoshta së shpejti tërhiqem krejtësisht nga jeta publike. Jam lodh duke e pa qysh arsyetoni njerëz që vjedhin ashiqare mëditje, ndërkohë që çdo ditë shoh mjekë/infermierë në intensive qysh dërrmohen t’u kujdestaru që t’i mbajnë pacientët në jetë dhe nuk paguhen për ndërrimin e natës as sa gjysma e mëditjes që e vjedhin deputetët.

Jam lodh kur shoh që emërohet në krye të shëndetësisë një ministër që nuk ia ka haberin dhe sen nuk bën për sektorë të caktuar, për atë pjesë të mantelbardhëve që punojnë natë e ditë.

Është tu më dëshpëru me të madhe kjo Qeveri, se prej hajnave as që kam pas naj pritje tjetër.

Puna e mbarë ju qoftë të gjithve!