Pranon fajësinë i akuzuari i cili kishte tentuar t’ia vë flakën veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

I akuzuari për zjarrvënie, Elvis Jusufi, cili kishte tentuar t’ia vë flakën automjetit të gazetarit Shkumbin Kajtazi ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Natasha Radoviq, i akuzuari ka deklaruar se e ndien veten fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë për këtë vepër penale, e di që kam gabuar dhe jam penduar thellë nga perspektiva e sodit, nuk do ta bëjë këtë vepër dhe premtoj se nuk do ta bëjë as në të ardhmen. I kam kërkuar falje të dëmtuarit, por edhe tani i kërkoj shumë falje”, tha i akuzuari Jusufi.

Mirëpo, duhet theksuar se gazetari Kajtazi në vazhdimësi ka potencuar që sulmi ndaj tij ka qenë i porositur dhe, sipas tij, i akuzuari nuk është fajtori i vetëm.